Vazhdojnë ankesat në ndarjen e drejtësisë, këtë radhë Trepça ’89

Ndarja e drejtësisë vazhdon të mbetet problem kryesor në futbollin kosovar. Me të filluar gara në kampionatin elitarë kanë filluar edhe ankesat në ndarjen e drejtësisë. Pas Klubit Futbollistik “Llapi” që u ankua në ndarjen e drejtësisë në ndeshjen ndaj Drenicës, tashmë edhe Trepça ’89 po pretendon se është dëmtuar në duel me FC Dritën.

Përmes një publikimi në faqen zyrtare të klubit, ‘minatorët’ kanë shprehur indinjatën e tyre në lidhje me ndarjen e drejtësisë, ndërkohë që pretendojnë të jenë dëmtuar në disa raste.

Mitrovicasit pretendojnë që futbollisti Richard Asare nuk ishte në dijeni të ndëshkimit me kartonin e parë të verdhë, ndërkohë që pretendojnë në dy raste se janë dëmtuar me mos akordimin e penaltive.

Rasti i parë është në minutën 51-të teksa Kastriot Rexha pengon brenda zonës futbollistin Lassine Traore dhe rasti i dytë është në minutën e 68-të, me ç’rast pretendohet se Hamdi Namani ka prekur topin me dorë brenda zonës.

Në mënyrën se si u nda drejtësia në këtë përballje reagoi edhe trajneri i kësaj skuadre Shpëtim Idrizi:

“Mendoj se referimi ishte faktor kyç në këtë ndeshje. Na mbetet një punë jashtëzakonisht e vështirë për të bërë në vazhdim. Ne do t’ia arrijmë objektivit që kemi”.

Trepça ’89 ka paralajmëruar gjithashtu që mund të braktis garat nëse gjërat në futbollin kosovar nuk shkojnë duke u përmirësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *