Përfaqësuesja e Kosovës U19 në kategorinë e femrave ka vazhduar me fitore për kualifikimet në Kampionatin Evropian.
Vashat tona kanë mposhtur 2-1 ato të Izraelit, duke e arritur kështu fitoren e tretë me radhë dhe duke u bërë lidere të grupit.
Fillimisht, izraelitet kaluan në epërsi me anë të Talma Tal, që realizoi në minutën e 36-të.
Me kaq edhe përfundoi pjesa e parë, derisa në të dytën filloi edhe rikthimi i dardaneve të reja.
Në minutën e 50-të, Eriona Elezi i barazoi shifrat në 1-1, duke u dhënë më shumë motiv bashkëlojtarëve të saj.
Për t’ia siguruar tri pikë Kosovës U19 u përkujdes Rreze Gashi, që realizoi në minutën e 71-të për 2-1.
Kosova është në vendin e parë me nëntë pikë, Izraeli me gjashtë sosh, ndërsa Luksemburgu dhe Gjibraltari ende pa asnjë.