Uldedaj pasi u shpall kampion bote: Ky titull është për gjithë shqiptarët

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka bërë histori mbrëmjen e së shtunës në “O2 Arena” të Londrës, duke u shpallur kampion bote në versionin IBO për peshën “Cruiserweight” pas një fitorje të qartë ndaj Rolly Lambertit.

Pas përfundimit të ndeshjes, boksieri nuk i kurseu emocionet dhe bëri një deklaratë që theksonte rëndësinë e këtij suksesi për të gjithë shqiptarët.

“Sot është dita që kam ëndërruar gjithë jetën time. Pas shumë viteve sakrifice, mundi dhe besimi në Zot, u shpalla Kampion i Botës IBO në peshën cruiser”.

“Ky titull nuk është vetëm i imi, është për gjithë shqiptarët kudo që janë. Për ata që besuan tek unë, për ata që më mbështetën, dhe për çdo djalë apo vajzë që ka një ëndërr, asgjë nuk është e pamundur nëse nuk dorëzohesh”.

“Faleminderit ekipit tim, familjes, trajnerëve dhe çdo personi që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Sot shkruam histori për Shqipërinë”. tha Uldedaj.

Fitorja e Uldedajt shënon një moment historik për boksin shqiptar, duke e bërë të parin që arrin një titull botëror në peshën “Cruiserweight”.

Me këtë sukses, ai vendos emrin e tij mes boksierëve më të shquar ndërkombëtarë dhe i jep frymëzim të ri sportistëve shqiptarë që ëndërrojnë të arrijnë nivele të larta në karrierën e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *