UEFA: Moldavia e detyruar të luajë në Kosovë

 

Moldavia është e detyruar të luajë në Kosovë në ndeshjen e saj si mysafire kundër ekipit kombëtar dardan në edicionin e ri 2020/21 të Ligës së Kombeve, ka thënë UEFA, pas deklaratës së trajnerit të kombëtares moldave, Engin Firat, se ekipi i tij nuk do të mundë të luajë në Kosovë dhe as kjo e fundit në Moldavi.

Pasi e mësoi në shortin e të martës në Amsterdam se Moldavia e tij do të përballet me Kosovën, Firat tha se ekipi i tij kombëtar nuk do të mundë të udhëtojë drejt Prishtinës për ndeshjen si mysafire me Kosovën dhe se as kjo e fundit nuk do të mundë ta vizitonte vendin e tij, raporton GE.

Moldavia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe Firat beson se kjo do të paraqet problem për zhvillimin e ndeshjeve mes këtyre dy vendeve në e tyre natyrale, duke sugjeruar që ndeshjet kokë me kokë të luhen në terren neutral.

“Kemi probleme politike me Kosovën. Ne nuk mund të luajmë në Kosovë e Kosova nuk mund të luajë në Moldavi”, kishte thënë Firat për Supersport të martën pas shortit, duke shtuar: “Së pari duhet të zgjedhim këtë problem e më pas të mendojmë për ndeshjet. Por besoj që do të gjendet një zgjidhje.”

Por, i pyetur nga Gazeta Express, organi qeverisës i futbollit evropian tha se rregullorja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s nga viti i kaluar, e detyron çdo ekip kombëtar të luajë në Kosovë në ndeshjet e veta si mysafir.

“Për momentin, ne mund t’ju drejtojmë te vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i marrë në maj të vitit 2019”, ka thënë për Gazetën Express Zyra për Marrëdhënie me Media e UEFA-s.

Rregullorja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA thotë: Ekipet të cilat nuk mund të jenë nikoqire të klubeve nga Kosova apo ekipit kombëtar të saj në territorin e vet, mund të bëjnë kërkesë për t’i organizuar ndeshjet e tyre si vendas në një terren neutral. Megjithatë, ato janë të detyruara të pranojnë t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre si mysafirë në Kosovë.

Kjo nënkupton se Moldavia do të detyrohet të vijë në Kosovë për ndeshjen e fundit në grup me dardanët më 16 nëntor. Por, shteti nga Evropa Lindore mund t’i kërkojë UEFA-s ta zhvillojë ndeshjen si vendase kundër Kosovës në një terren neutral më 3 shtator.

Po ashtu, në grupin e Kosovës është edhe një shtet tjetër që nuk e njeh pavarësisë e saj, Greqia.

Kosova u ballafaqua edhe vitin e kaluar në këtë garë me një shtet i cili s’e njeh pavarësinë e saj, Azerbajxhanin, por nuk u përball me probleme politike, pasi udhëtoi drejt këtij vendi dhe e priti atë në Prishtinë për ndeshjet e tyre kokë me kokë.

Himni i Kosovës u dëgjua në stadiumin e Bakusë dhe nuk paraqiti problem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *