Fitorja e Kosovës mbrëmë ndaj Sllovenisë ka rritur gjasat që të arrijmë Botërorin.
“Dardanët”, kanë siguruar kualifikimin në play-off, gjë që nuk e kemi arritur më parë në 9 vite pjesëmarrje në kualifikuese.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka bërë një postim emocionues pas fitores sonë.
“Të dashur Dardanë, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe ju bashkatdhetarë.
Sot, Kosova është pjesë e “Play-off”-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Një arritje historike për futbollin tonë, vetëm 9 vjet pasi u pranuam në UEFA dhe FIFA.
Kjo është një mrekulli që lindi nga zemra, karakteri dhe sakrifica e futbollistëve tanë dardanë, të cilët e ngritën vendin tonë në lartësi ku pak kush besonte se mund të mbërrinim. Askush nuk mendonte se Kosova do të përfundonte mbi Suedinë e Slloveninë. Askush, përveç nesh që besuam te djemtë tanë të artë.
Të martën përballemi me Zvicrën, që praktikisht e ka siguruar vendin e parë dhe kualifikimin direkt. Por ne duam fitoren për të treguar rrugën e vërtetë që bëmë. Duam të dëshmojmë se ishim fituesit moralë të këtij grupi dhe se meritojmë kualifikimim në Botëror. Këta djem kishin gjithmonë mbështetjen e popullit, por tashmë e kanë fituar edhe respektin e Evropës e botës.
Dua të falënderoj me gjithë zemër stafin e Kombëtares në krye me përzgjedhësin Franco Foda, futbollistët që janë heronjtë e Republikës së Kosovës, stafin mjekësor dhe teknik, si dhe tifozët tanë të jashtëzakonshëm “Dardanët” dhe gjithë bashkatdhetarët që po e mbushin çdo stadium me flamuj, me jehonë dhe me dashuri për Kosovën.
Urime të gjithë anëtarëve të Federatës dhe ekipit organizativ të ndeshjeve, si dhe secilit që punon e kontribuon për këtë rrugëtim. Kjo arritje u takon edhe atyre që kontribuuan me dekada dhe që sot nuk janë më mes nesh dhe të gjithë atyre që derdhën djersë në futbollin e Kosovës që nga periudha e sakrificës.
Jemi bërë histori suksesi, të vlerësuar zyrtarisht nga UEFA dhe FIFA për progresin, organizimin dhe rezultatet e arritura në vetëm 9 vite.Jemi komb i vogël por me shpirt të madh, me kreativitet, punë, besim dhe ambicie.
Besoj në këta futbollistë. Besoj në këtë staf. Besoj në këtë popull. Të qëndrojmë bashkë, të ecim bashkë sepse Kosova është e të gjithëve dhe së bashku do të vazhdojmë ta lartësojmë e ta bëjmë krenare.
Tani na ndajnë vetëm dy hapa nga Amerika dhe besimi ynë është më i fortë se kurrë. Të ecim tutje të bashkuar me ata që ishin pjesë e këtij rrugëtimi dhe me ata që do të vijnë në mënyrë që t’ia arrijmë qëllimit madhor dhe të shkojmë në Botëror e ta prezantojmë siç është më së miri shtetin dhe popullin tonë.
T’i dëshmojmë pikësëpari aleatit tonë kryesor SHBA-së dhe miqve tjerë se ky është populli fisnik për të cilin janë angazhuar që ta ndihmojnë ta fitojë lirinë dhe të bëhet shtet sovran. Le ta sheh bota kreativitetin, mirësinë, zotësinë dhe intelektin e këtij populli.Bashkë deri në fund.
Deri në Botëror. Deri në Amerikë”, shkroi Ademi në postimin e tij.
Kosova, aktualisht është në vend të 2-të në grupin B, ku ka gjithsej 10 pikë.