Trajneri i Katarit, Felix Sanchez, e përshkroi ndeshjen hapëse të Kupës së Botës kundër Ekuadorit si “historike”.
Ndeshja, e cila do të ngrejë perden e Kupës së parë Botërore në Lindjen e Mesme, do të luhet në stadiumin Al Bayt me 60,000 vende, një nga tetë stadiumet që janë ndërtuar ose rinovuar për turneun.
“Është një ditë shumë e rëndësishme për ne. Një moment historik, një moment lumturie për ne,” tha Sanchez në një konferencë shtypi të shtunën.
Në rrjetet sociale qarkulluan lajme se Katari do ta fitojë ndeshje ndaj Ekuadorit me rezultatin 1-0, e për këtë trajneri tha se interneti është i rrezikshëm.
“Ka shumë dezinformata që qarkullojnë. Interneti është një mjet brilant, por mund të jetë edhe i rrezikshëm. Ne kemi vite që përgatitemi dhe stërvitemi. Jemi të bashkuar, jemi të fortë, askush nuk mund të na destabilizojë. Nuk jemi të prekur nga këto kritika”, përfundoi ai.