Kampionati Evropian, “Euro 2020”, do të fillojë nesër.
Sfida e parë e kësaj gare do të jetë ajo mes, Italisë dhe Turqisë, e cila do të zhvillohet nga ora 21:00.
Kombëtarja turke ka një rekord tejet negativ përballë Italisë.
Në 11 takimet të zhvilluara ndërmjet këtyre kombëtareve, Italia ka 8 fitore dhe 3 barazime duke mos pësuar asnjë humbje ndaj Turqisë.
Në këto 11 sfida Italia ka arritur të shënoi 21 gola ndaj Turqisë dhe ka pësuar vetëm 5 gola.
Takimi i fundit mes Italisë dhe Turqisë ishte në vitin 2006 në kuadër të ndeshjeve miqësore.
Ky takim u mbyll me rezultat të barabartë 1-1.
Ndërkohë Italia po kalon në një formë të jashtëzakonshme si kombëtare, duke mos pësuar humbje në 27 duelet e fundit.
6 lojët e fundit të italianëve kanë përfunduar në favor të tyre duke i fituar të gjitha.
Edhe kombëtarja turke po kalon në një formë të mirë duke fituar 4 nga 6 duelet e fundit dhe duke barazuar 2 të tjera.
Për Italinë kjo është hera e 10’të që kualifikohet në Kampionatin Evropian, kurse për kombëtaren turke do të jetë hera e pestë që marrin pjesë në fazat finale të Kampionatit Evropian.
Para fillimit të takimit dy përzgjedhësit e këtyre kombëtareve janë deklaruar për mediat duke e vlerësuar lartë njëra-tjetrën.
Trajneri i Turqisë, Gunes, tha se rezultati i ndeshjes së parë është shumë i rëndësishëm për ecurinë e kampanjës.
“Rezultati që marrim në ndeshjen e parë është i rëndësishëm; një barazim ose një fitore mund të shkaktojë konfuzion në grup.Unë dua të shoh forcën tonë në ndeshjen e parë; edhe nëse humbasim, është e rëndësishme të luajmë mirë. Pjesëmarrja në EURO është një sukses, por nuk mund të mbarojë këtu “tha Senol Gunes.
Kurse Roberto Mancini tha se Turqia ka një ekip të mirë dhe të përgaditur fizikisht.
“Turqia është një ekip i fortë, sepse lojtarët e tyre janë të mirë teknikisht dhe fizikisht të fortë. Ata janë përmirësuar shumë. Do të jetë e njëjta lojë kundër Zvicrës dhe Uellsit. Ky grup është mjaft i vështirë. Nuk ka gjasa të gjesh skuadra të dobëta në një garë si kjo “, tha Mancini.