Tuchel lë jashtë tre lojtarë për ndeshjen ndaj Shqipërisë

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka përjashtuar Morgan Gibbs-White, Jarrell Quansah dhe Aaron Ramsdale nga lista e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës ndaj Shqipërisë, e cila zhvillohet të premten në “Wembley”.

Mesfushori i Nottingham Forest, Gibbs-White, nuk ishte pjesë e listës fillestare të Tuchel, por u thirr më vonë pas tërheqjes së Cole Palmer të Chelseat.

Sipas rregullave të UEFA-s, një trajner mund të përzgjedhë vetëm 23 lojtarë për një ndeshje zyrtare.

Tuchel kishte ftuar 26 lojtarë për dy ndeshjet ndaj Shqipërisë dhe Letonisë, çka do të thotë se në secilin takim duhej të linte jashtë tre lojtarë.

Për ndeshjen e tij të parë si trajner i Anglisë, Tuchel ka vendosur të mos përfshijë Gibbs-White, mbrojtësin e Liverpool-it, Quansah, dhe portierin e Southampton-it, Ramsdale.

Kapiteni i skuadrës do të jetë Harry Kane, ndërsa Jude Bellingham dhe Declan Rice pritet të formojnë mesfushën.

Në sulm, Phil Foden, Morgan Rogers dhe Anthony Gordon janë në garë për të luajtur përkrah Kane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *