Chelsea është me njërën këmbë në gjysmëfinalet e Uefa Champions League pas fitores 0-2 në transfertë ndaj Portos ndërkohë që në kampionat pavarsisht disfatës turpëruese ndaj West Bromwich Albion me shifrat 2-5 në fundjavën e kaluar, nën drejtimin e Thomas Tuchel ka fituar shumë pozicion dhe aktualisht pozicionohet në vendin e 5-të, 1 pikë pas West Ham dhe po lufton për një vend në zonën Champions.
Në verën e kaluar presidenti Roman Abramovich shpenzoi më shumë se 200 milionë euro për të transferuar në Stamford Bridge emra si Kai Havertz, Timo Werner, Ben Chillwell, portieri Mendy apo edhe Thiago Silva e Hakim Ziyech, ndërkohë nuk dihet nëse në këto merkato verore manjati rus do të hapë sërish portofolin por e sigurt është që nga Chelsea do të ketë spastrime pasi Blutë e Londrës aktualisht kanë shumë futbollistë në përbërje.
Tuchel u ka kërkuar drejtuesve të klubit të bëjnë ndryshime në skuadër në merkaton e ardhshme dhe qëllimi kryesor do të jetë të largohen futbollistët e padëshiruar. Mediat angleze kanë zbuluar se do të jenë 9 futbollistë që do të largohen nga Chelsea në verë.
Emrat që spikasin më shumë janë ata të portierit Kepa Arrizabalaga, sulmuesit Tammy Abraham si dhe mbrojtësve Emerson Palmieri, Antonio Rudiger dhe Fikayo Tomori i cili aktualisht është i huazuar te Milani. Tuchel nuk do më në skuadër as mesfushorin italo-brazilian Jorginho për të cilin Chelsea shpenzoi 57 milionë euro për ta blerë nga Napoli rreth tre vite më parë.
Nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit gjerman as tre futbollistë të tjerë që aktualisht luajnë të huazuar si Michy Batshuayi, Ross Barkley dhe Ruben Loftus-Cheek. Nga shitja e këtyre 9 emrave Chelsea mund të përfitojë më shumë se 150 milionë euro, para të cilat mund t’i investojë në merkato për të afruar në skuadër të tjerë futbollistë me peshë.