Tuchel jep shenja dorëzimi në luftën për titull

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka dhënë shenja dorëzimi sa i përket luftës për titull pas barazimit 1-1 me Brightonin të mërkurën.

“Blutë” kaluan në epërsi me golin e Romelu Lukakut dhe e ruajtën atë deri në minutat e fundit kur Danny Welbeck të shënoi golin e barazimit për mysafirët, që do të thotë se skuadra e Tuchel tani është tetë pikë prapa Manchester Cityt, që fitoi kundër Brentfordit mbrëmë.

Chelsea ishte një nga skuadrat favorite në fillim të sezonit për titull, pasi fitoi Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, por forma e tyre në javët e fundit ka lënë shumë për të dëshiruar, me gjigantët e Londrës perëndimore që fituan vetëm dy nga gjashtë ndeshjet e fundit të ligës.

Tuchel ka sugjeruar se ishte jo reale që Chelsea të konsiderohet favorit për titull duke parë lëndimet që i ka skuadra si dhe numrin e madh të rasteve me Covid-19.

“Kemi shtatë raste me Covid. Kemi pesë ose gjashtë lojtarë që mungojnë për gjashtë ose më shumë javë. Si duhet të konkurrojmë në një garë për titull?”, tha Tuchel për “BBC Sport”.

“Të gjithë të tjerët kanë skuadrën e plotë në dispozicion, të gjitha janë duke u stërvitur me kapacitet të plotë në stërvitje. Do të ishim budallenj po të mendonim se mund ta bënim këtë me të gjitha këto probleme. Është e vështirë”, tha Tuchel më tutje.

Përkundër kësaj serie jo të mirë të rezultateve, Chelsea mbetet në vendin e dytë me 42 pikë, pra tëtë më pak se lideri Manchester City.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *