Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel aspak nuk është i kënaqur me intervistën e fundit të sulmuesit Romelu Lukaku, në të cilën belgu ka shprehur dëshirën që një ditë të rikthehet te Interi.
Lukaku 28-vjeçar në intervistën e tij ka pranuar se nuk është aspak i kënaqur me situatën e tij te Chelsea pas transferimit nga Interi për 115 milionë euro.
E Tuchel në intervistën e tij të premten, para ndeshjes me Liverpoolin që luhet të dielën, ka pranuar se nuk ka mbetur i kënaqur me fjalët e Lukakut.
“Natyrisht, që nuk më ka pëlqyer. Nuk kemi pasur nevojë për gjëra të tilla, të cilat aspak nuk e ndihmojnë ekipin”, ka thënë Tuchel.“Nuk mendoj se dikush në klub është i pakënaqur me Romelun dhe po ashtu nuk e di që është i pakënaqur. Nuk shoh arsye që ai të ndihet ashtu”.
Lukaku ka kontratë me chelsean deri në vitin 2026 dhe këtë sezon ka shënuar pesë gola në 13 ndeshje në Premier League.