Timo Eerner drejt largimit nga Chelsea. Mediat londineze raportojnë se trajneri Thomas Tuchel ka vendosur t’i hapë udhë largimit të sulmuesit gjerman, i cili në dy sezonet e tij me Chelsean nuk ka bindur aspak.
Blutë e Londrës shpenzuan 55 milionë euro për të marrë sulmuesin në verën e 2020-ës, por duket se kampionati anglez nuk është i duhuri për Werner, që në dy sezone numëron 89 ndeshje dhe vetëm 23 gola.
Për 26-vjeçarin kanë shfaqur interes klube si Leipzig e Newcastle, me këta të fundit që janë gati të paguajnë deri në 50 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa trajneri Tuchel ka dhënë miratimin për një largim të mundshëm.
Në këtë mënyrë përfiton edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Armando Broja, që me largimin e Werner e ka të sigurt qëndrimin në Londër, pasi edhe vetë trajneri Tuchel deklaroi pak ditë më parë se nuk pret që 21-vjeçari të lërë “Stamford Bridge” këtë verë.
Kujtojmë që nga Chelsea është larguar fillimisht Lukaku dhe me një shitje të mundshme të Werner, Broja mbetet i vetmi qendërsulmues tipik në organikën e londinezëve, ndaj edhe hapësirat në dispozicion të tij pritet të jenë të mëdha.