Sot do të zhvillohen edhe tri takimet e mbetura të javës së 25-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Drenica do të përballet me Malishevën dhe një fitore eventuale e vendasve mund të bëjë që të futet në garë për një vend në Evropë.
Momentalisht, Drenica gjendet e gjashta me 32 pikë, 10 më pak se Drita e vendit të tretë, që kualifikohet në Conference League.
Në anën tjetër, Malisheva me fitore eventuale do të ikte edhe më larg zonës së rrezikshme.
Ndeshje tjetër interesante pritet të jetë edhe ajo mes Dukagjinit dhe Dritës që zhvillohet në Klinë. Dy ekipet me synime diametralisht të kundërta do t’i masin forcat sot.
Dukagjini kërkon fitore për t’i ikur edhe më shumë dy vendeve të fundit, kurse Drita kërkon t’i afrohet kreut, pasi momentalisht gjendet nëntë pikë larg.
Dhe, derbi i kësaj xhiroje zhvillohet në Anamoravë, atje ku Gjilani do të jetë nikoqir i Llapit. Dy ekipet po luftojnë për titull kampioni, por sot njëra mund të bëjë hap prapa. Gjilani gjendet i dyti me 47 pikë gjithsej, kurse Llapi i katërti me 40.