Epoka e Eden Hazard te Real Madrid mund të konsiderohet e përfunduar, edhe pse në fakt ajo nuk nisi kurrë për shkak të problemeve fizike të belgut. I transferuar në Madrid verën e vitit 2019 nga Chelsea për shumën e 150 milionë eurove duke u konsideruar si pasuesi i Cristiano Ronaldos, Hazard koleksionoi me Los Blancos vetëm shtatë gola në 77 paraqitje.
Shumë pak që drejtuesit spanjollë t’i ofrojnë rinovimin pasi kontrata e sulmuesit skadon në vitin 2024. Në këtë formë, te Real janë të hapur dhe presin oferta për Hazard e ato mund të mbërrijnë që në muajin janar. Klubi më i interesuar është Aston Villa.
Trajneri i sapoemëruar, Unai Emery ka dhënë miratimin e tij i bindur se 31-vjeçari mund të rrisë kualitetet e organikës së anglezëve ndërsa beson se në Premier League, Hazard do të rikthehej sërish në një nga lojtarët më të mirë europianë. Hazard e ka treguar veten në Angli, aty ku shkëlqeu me fanellën e Chelsea dhe i bëri të gjithë për vete me futbollin e shfaqur në Stamford Bridge.