Trajneri i njohur kosovar: Futbolli u ndal për një virus që mund të kalohet me ‘paracetamol’!

Faruk Statovci

Ish-futbollisti dhe tani trajneri i futbollit, Faruk Statovci, në emisionin qendror të Sportit në KTV “Sporti Total”, ka thënë se fajin për anulimin e ligave të ulta të futbollit e ka Ministria e Shëndetësisë, se nuk ka pasur informacione të mjaftueshme, se si zhvillohet futbolli në rangjet e ulta.

Trajneri aktual i Bashkimit nga Koretini që bën gara në Ligën e Dytë, po e sheh si jo të drejtë anulimin e rangjeve të tjera futbollistike në vend, derisa dëshiron të besoj që FFK nuk ka vendosur kokë në vete.

“Nuk besoj që Federata e Futbollit e Kosovës të ketë marrë vendim për anulimin e ligave. Dua të besoj shumë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhanë rekomandime për të vazhduar garat tjera, ndërkohë nëse FFK ka vendosur vet, atëherë do të ishte një gabim katastrofal”, deklaroi fillimisht Statovci.

Ai më pas ka thënë se rangjet tjera të futbollit në vend është dashur të vazhdohen, pasi që nuk lidhen me datat e caktuara nga UEFA për mbylljen e kampionateve.

“Në lojë janë edhe 39 pikë dhe është e palogjikshme që të shpallet i mbyllur një kampionat. Masat e lëvizjes largohen nga 1 qershori dhe nuk shoh arsye përse të mos vazhdohet me kampionatet tjera. Ne nuk jemi të lidhur me datat e UEFA-s, kështu që është dashur të vazhdohet edhe me rangjet tjera, jo vetëm me Superligë”, deklaroi Statovci ndër të tjerash.

Më pas ai ngriti edhe dyshime në lidhje me fuqinë e këtij virusi, duke thënë se mund të kalohet edhe me një paracetamol.

“Asnjë sportist nuk është infektuar për vdekje. Është virus që kalohet me një paracetamol”, deklaroi Statovci./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *