Trajneri Di Francesco i mahnitur nga dy shqiptarët e sulmit tek Frosinone

Dy të rinjtë shqiptarë, Marvin Çuni e Arijon Ibrahimovic ishin padyshim protagonistët absolut në fitoren 2 me 1, të skuadrës së tyre, Frosinone, ndaj skuadrës së Empoli, në sfidën e vlefshme për javën e 11 të kampionatit italian të futbollit, Serie A.

Pas ndeshjes, trajneri i Frosinone, Eusebio di Francesco komentoi edhe formën e të dy sulmuesve shqiptarë, duke theksuar se puna e tyre po shpërblehet në fushë, teksa nuk kanë munguar edhe elozhet për të rinjtë shqiptarë.

“Futbollistët duhet të reagojnë me personalitet ndaj gabimeve dhe kështu ndodhi me Ibrahimovic. Doja ta hidhja në fushë një muaj më parë, por nuk doja të rrezikoj. E shihja që rritej nga dita në ditë në stërvitje. Ka dëshirë të rritet dhe duhet të vazhdojë të punojë me të njëjtën përulësi si të javëve të fundit.

Sulmuesit kanë dhënë gjithmonë shumë dhe në afatgjatë janë shpërblyer. Ky është shembulli i Çunit. Edhe pse nuk është stërvitur maksimalisht gjatë ditëve të fundit, sot e kam hedhur në fushë dhe na shpërbleu me një gol mjaft të bukur.

Ka pak Bayern edhe te Frosinone. Çuni është një qendër sulmues, që ka dëshirë dhe cilësitë e duhura për të lëvizur në të gjithë hapësirën e fushës. Duhet të jetë brenda lojës, për të shkuar më pranë portës dhe për të shënuar më shumë. Për Ibrahimovic më duket vetja si një baba dhe po mundohem ta menaxhoj ashtu siç duhet”,- u shpreh tekniku italian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *