Trajneri dhe përfaqësuesi i Prishtinës për ndeshjen e djeshme sqarojnë gjithçka

Mbrëmë pas mesnatës, ekipi i FC Prishtinës ka arritur në Prishtinë nga Gjibraltari, atje ku nuk arriti që ta zhvillonte ndeshjen e Europa League ndaj Lincoln Red Imps.

Shkak për këtë u bënë tetë futbollistët që rezultuan pozitivë në testet për koronavirus.

Pas arritjes në Prishtinë, përfaqësuesi i klubit për këtë ndeshje, Bajram Shala tha për faqen e klubit se vendimi për anulimin e ndeshjes ishte nga autoritetet e Gjibraltarit dhe se deri të hënën klubi do të dëshmojë argumentet në UEFA

“Absolutisht, deri sa kemi arritur që mos të merret vendimi në ditën e ndeshjes, e realisht krejt kjo ishte lufta që e kemi bërë, sepse praktikisht e kemi ditur që ishte e pamundshme të luhet, por që mos të kishte vendim nga UEFA, që mos të regjistrohej me rezultat zyrtar dhe të dërgojmë lëndën në komisionin e etikës dhe disiplinës, për të cilën kemi afat deri ditën e hënë në ora 8 të mëngjesit. Duhet cekur të gjitha faktet, sidomos sakrifica që e ka bërë klubi me organizimin e një ekipi komplet të ri që është dëshmi e jashtëzakonshme që Prishtina ka tentuar në çdo formë që ndeshja të përcaktohet në terren dhe jo në tavolinë. Nuk është e vërtet se si kanë aluduar vendasit që është vendim i UEFA-s, sepse ne e kemi të shkruar nga ana e delegatit vendimin që për pezullimin ndeshjes ka ardhur nga autoritetet lokale. Është e vështirë të prejudikojmë vendimin, por duhet bërë maksimumin për ta bindur UEFA-në, duke mos i lejuar asgjë rastit. Pastaj UEFA besojmë do të marrë vendimin meritor për çka nuk duhet dyshuar. Por, ne duhet të cekim komplet historikun nga java e kaluar nga ndeshja e parë kur është dashur të zhvillohet. Dhe, Prishtina në çdo formë e ka dëshmuar që dëshiron të luajë duke krijuar ekip të ri e duke mos tentuar as të ankohet pas anulimit të ndeshjes së parë e duke mos kërkuar rezultat në tavolinë e siç po duket mjaft haptas ka qenë qëllimi i Lincoln-it. Nuk më ka lodhur Prishtina, absolutisht. Lufta duhet bërë për komplet futbollin e Kosovës, sepse tani është e qartë nga të gjithë se ky nuk është vetëm ekip i Prishtinës, por është diçka që e përfaqëson komplet futbollin e Kosovës. Jam larg i të qenit i lodhur, lodhja kalon me tetë orë gjumë, por duhet fokusuar që të nxjerrim maksimumin nga ky rast për Prishtinën duke shpresuar që edhe Drita do të arrijë të marrë maksimumin, ndonëse jo në aspektin sportiv, por të kompensohet në aspektet tjera për dëmin që iu kanë shkaktuar, si Dritës, si Prishtinës, si klube” – u shpreh Shala.

Në anën tjetër, trajneri i Prishtinës për atë ndeshje, Ramiz Krasniqi u shpreh se pret korrektësi nga UEFA.

“Pas shumë e shumë vitesh edhe si futbollist, edhe si trajner, jam përballur dhe kam përjetuar gjithçka, por ky ishte përjetim i ri dhe do të jetë i paharruar dhe i pakuptueshëm njëkohësisht. Në Prishtinë e gjithë ekspedita kemi dal negativë dhe për mua me të vërtet ishte qesharake që nga 18 futbollistë të dalin pozitiv 7 futbollistë dhe një portier çka edhe na e pamundësonte daljen në fushë edhe sikur të na lejonin. Më interesante ishte ardhja e një personi zyrtar vendas i cili erdhi në hotel për të na i kërkuar mostrat, periudhë kjo sa ishim të izoluar për të dalë nga hoteli. Normalisht ishte e papranueshme dhe një gjë e tillë iu bë e qartë nga personi ynë zyrtar, Bajram Shala. Rasti më eklatant ishte rasti i trajnerit Xhelal Karabegu, rezultatin e të cilët nuk na sillnin me arsyetimin se ai nuk ishte testuar e kur në fakt ishte i testuar si të gjithë tjerët. Dhe pas këmbëngulësisë së Shalës, e sollën rezultatin pas shumë orësh. Karabegu doli të ishte negativ ashtu edhe siç prisnim, sepse ishte shëndosh e mirë. Me të vërtet do të jetë përjetim sa të jem gjallë. Unë jam seleksionues i Përfaqësueses së Kosovës dhe nuk më lejohet të flas për ndonjë dyshim. Por, në të vërtetë shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Ne i kemi pasur 10 futbollistë për të luajtur duke e shtuar edhe futbollistin që doli pozitiv si të 11-në, i cili kishim argumentin që ai tashmë kishte kaluar virusin para shumë javësh. Por, autoritetet vendase nuk lejuan duke këmbëngulur që mos të luhet me asnjë kusht ndeshja. Sinqerisht, kemi qenë në nivel të duhur në çdo pikëpamje, në sjellje duke qenë korrekt maksimalisht, në çdo procedurë dhe besoj në korrektësinë e UEFA-s, sidomos duke pasur parasysh dy herë rresht udhëtimin me shpenzime enorme nga klubi dhe sakrifica e lojtarëve për çka i falënderoj shumë, duke treguar që ne kemi dashur të përfundojmë ndeshjen në tapetin e blertë ashtu siç rekomandon vetë UEFA” – theksoi Krasniqi.

Tashmë gjithçka është në dorën e UEFA-s, e cila do të vendos se kush duhet ta fitojë këtë duel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *