Marrëdhënia mes Paul Pogba dhe vëllait të tij, Mathias tashmë po shndërrohet në një telenovelë teksa vijojnë akuzat e ndërsjellta mes palëve.
Përveç dëmtimit, mesfushorin po e bezdis së tepërmi sherri i bërë publik me vëllain e tij, Mathias.
Gjithçka nisi me një deklaratë të këtij të fundit ku shprehej se shumë shpejt të gjithë do të mësonin të vërtetë për Paul Pogba, ndërsa në këtë mes përfshiu edhe Mbappe me Mathias që pretendon se Pogba nuk ka një marrëdhënie të mirë me yllin e PSG.
Gjithsesi, nuk vonoi dhe Pogba reagoi duke theksuar se ka ngritur akuza kundër një grupi të struktuar që ka për qëllim zhvatjen financiare të tij ndërsa tha se ky grup drejtohej nga vëllai i tij, Mathias. Sigurisht që pas kësaj deklarate, ka reaguar sërish Mathias i cili thekson se i vjen mirë që vëllai i tij tregoi fytyrën e vërtetë, ndërsa shtoi se Pogba është një hipokrit, tradhtar dhe frikacak.
“Vëllai im i vogël më në fund po tregon fytyrën e tij të vërtetë. Duke qenë se ai nisi të flasë vetë dhe të publikojë kaq shumë informacion, atëherë nuk dua të më fajësoni mua. Paul, kërkon të më dërgojë në burg, megjithatë ndryshe nga ai, unë kam prova që vërtetojnë gënjeshtrat e tij.
Po ta them sërish; Nuk bën mirë kur manipulon njerëzit. Nuk ka të bëjë me paratë, unë për pak humba jetën prej teje, më le në errësirë dhe tani bën rolin e të pafajshmit. Kur e vërteta të dalë në shesh, njerëzit do ta shohin se nuk ekziston një person më frikacak, tradhtar dhe hipokrit se ty në këtë tokë”, shprehet Mathias.