Etrit Berisha prej më shumë se një muaji i është bashkuar klubit të Torinos, për vetëm sot, klubi italian ka vendosur që të prezantojë gardianin kuqezi para mediave.
Berisha ka deklaruar se pse zgjodhi Torinon, ka folur për rivalitetin e tij me Milinkoviç-Saviç për postin e titullarit, si dhe për portierin që e ka frymëzuar në karrierën e tij.
“Të gjithë e dimë që Torino është një klub i madh, isha i lumtur për këtë propozim. Dija edhe vështirësitë e viteve të fundit dhe jam i bindur se mund të bëjmë gjëra të bukura, kam njohur shumë djem të zotë dhe lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Kam ndjesi të mira, mund të bëjmë një kampionat të madh.
Konkurrenca me Milinkoviç-Saviç? Kam folur me Vanjatin dhe i kam thënë që do të vija për të ndihmuar skuadrën dhe të jepja eksperiencën time. Për mua nuk ka qenë asnjëherë e sigurt prania si i parë apo i dytë. Unë besoj te puna dhe mendoj se mund të ndihmoj këtë skuadër, e di që do të kem mundësinë për të treguar vlerën time, kam besim te fakti që mund të ndihmoj skuadrën, pastaj do të vendosë trajneri se kush do të jetë titullar. Punoj për të qenë gati dhe të shfrytëzoj mundësitë e mia.
Nga kush frymëzohem? Van Der Sar, është një portier i cili jepte siguri, qetësi, i qetë dhe ka bërë gjithmonë diferencën. Edhe unë mundohem që të kem këto karakteristika, mundohem gjithmonë që t’i jap qetësi skuadrës dhe të ndihmoj shokët e skuadrës.
Loja me këmbë? Që kur isha te SPAL, trajneri Sempliçi kërkonte që portierët të luanin me këmbë, në atë periudhë jam përmirësuar. Mua më pëlqen shumë që të përfshihem në lojën me top. Tani kemi një trajner tjetër i cili do që portierët të ndihmojnë skuadrën që të dominojë. Përgatitësi ynë na ndihmon shumë në këtë aspekt.
Biseda me Rejan për Torinon? Po, me të flasim për gjithçka, është i lidhur edhe me Ferraran. Ai është një trajner ekspert i cili ka kaluar shumë dhe njeh shumë mirë një ambient të tillë”, tha Berisha në konferencën për shtyp.