1 muaj pa asnjë ndeshje zyrtare për shkak të bojkotit të kampionatit, sfida e fundit është finalja e Superkupës së Shqipërisë ndaj Teutës.
A do jetë e njëjta Tiranë me të njëjtën formë fizike dhe atletike në fushë si ndaj Dinamo Tbilisit dhe Crvena Zvezdës, është kjo dilema e madhe e Emanuel Egbo dhe a do të penalizojë mungesa e ndeshjeve zyrtare (ka zhvilluar vetëm sfida miqësore) gjatë shtatorit skuadrën bardheblu, që sot në mbrëmje në kryeqytetin e Zvicrës, Bernë, luan ndoshta takimin më të rëndësishëm në historinë e saj.
Tirana është vetëm një hap larg kualifikimit në grupet e Europa League diçka që e ka arritur vetëm një skuadër shqiptare, Skënderbeu në dy raste.
Tapeti artificial i “Wankdorf Stadion” mund të jetë një minus për skuadrën e Egbo që ka lojtarë teknikë në përbërje si Torassa, Cale e Cobbinah dhe kërkon ta ketë gjatë gjithë kohës topin nën kontroll.
Young Boys nuk humbet në shtëpi që nga dhjetori i kaluar në sfidën ndaj Portos në grupet e Europa League dhe flet kjo për forcën e kampionëve të Zvicrës.
Tirana ndërkohë me përjashtim të portierit Visar Bekaj i afruar në merkaton verore që do të marrë vendin e Ilion Likës do të zbresë në fushë me të njëjtin formacion si ndaj Crvena Zvezdës. Mrekullitë ekzistojnë në futboll dhe një të tillë do të kërkojë ta bëjë Tirana sot.