Një situatë aspak e mirë mendohet të ketë ndodhur në kampin e Shqipërisë vetëm pak ora para fillimit të ndeshjes me Anglinë.
Gazeta shqiptar “Panorama Sport” mësoi ditën e diel, vetëm pak orë përpara fillimit të ndeshjes, formacionin që trajneri kishte zgjedhur për t’u përballur kundër Anglisë. Burime nga Kombëtarja konfirmuan se skema do të ishte 5-4-1 dhe priteshin si titullarë: Berisha; Ismajli, Gjimshiti, Veseli, Hysaj, Doka; Laçi, Bare, Kamberi, Uzuni dhe Broja. Në formacionin zyrtar që u publikua një orë përpara ndeshjes, Doka (do të luante djathtas dhe Hysaj në të majtë) ishte zëvendësuar me Memollën dhe Kamberi me Cikalleshin.
Gjatë gjithë ditës deri në momentin përpara ndeshjes, formacioni ishte zgjedhur dhe të gjithë lojtarët ishin gati. Vetëm pak minuta përpara fillimit, italiani 75-vjeçar vendosi që nga tabela në dhomat e zhveshjes të fshinte Dokën dhe Kamberin për të aktivizuar Memollën dhe Cikalleshin. Nisur nga kjo situatë, Florian Kamberi ka pretenduar më vonë se ndien shqetësime në këmbë dhe nuk mund të luante. Për të mos e tensionuar pragndeshjen, ai mbeti pjesë e protokollit zyrtar. Megjithatë, nuk mund të luante dhe të bënte debutimin me kuqezinjtë. Po pse u mbajt nga stafi në protokoll, përderisa ka qenë i dëmtuar?
LARGIMI – Ditën e djeshme, Federata shqiptare njoftoi se Florian Kamberi është larguar nga grumbullimi dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen me San Marinon. FSHF përmes një njoftimi për shtyp e konfirmoi diçka të tillë sapo Kombëtarja mbërriti në San Marino. Por, a është dëmtim apo zemërim i Florian Kamberit, i cili ende nuk ka luajtur asnjë minutë me Shqipërinë?
Këtë do ta tregojë koha, por e vërteta është që nga formacioni kundër Anglisë u surprizuan shumë, tifozët dhe vetë lojtarët. Diçka të tillë e konfirmoi edhe Rei Manaj në fundin e ndeshjes duke thënë se u befasua nga qëndrimi në stol. Nëse Kamberi është larguar për shkak të pakënaqësive rrezikon që të krijohet një tjetër çështje “Grezda”, i cili nuk preferohet nga trajneri Edi Reja. Por, në të shkuarën ka pasur edhe diçka të ngjashme me Brojën. Këtë herë vendimi i trajnerit nuk ishte drastik dhe gjeti gjuhën e përbashkët me sulmuesin e Kombëtares për ta grumbulluar sërish.