Sërish telashe për Conor McGregor, ish-kampionin e dyfishtë të botës në artet marciale mikse. Ylli i UFC-së është arrestuar mbrëmë vonë në Dublin (Irlandë) për shkak se i jepte makinës në mënyrë të rrezikshme.
33-vjeçari irlandez ishte duke i dhënë makinës së tij Bentley Continental GT, me vlerë 170 mijë euro, kur është ndalur nga policia. Kjo nuk është hera e parë që Conor McGregor ka probleme me ligjin për dhënie të makinës në mënyrë të rrezikshme.
Sipas mediave vendase, policia ka ndalur Conor McGregor, e ka arrestuar dhe i ka sekuestruar makinën. Më pas luftëtari është lënë i lirë pasi ka paguar një garanci dhe i është dhënë sërish makina.
Gjithsesi, sportisti duhet të dalë para gjykatës muajin e ardhshëm, ku rrezikon një gjobë nga 5 mijë euro deri në 6 muaj burg. Zëdhënësi i sportistit irlandez, ka sqaruar situatën.
“Conor po shkonte në palestër me makinën e tij kur u ndal nga policia, me akuzën se ka shkelur kodin rrugor. Ai ka kaluar me sukses testin anti-drogë dhe anti-alkool që i është kryer në rajon”, tha një person i stafit të McGregor.