Sulmuesi Milot Rashica është rikuperuar nga lëndimi që e pësoi muajin e kaluar në ndeshjen që Përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi ndaj Qipros në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Për shkak të problemeve muskulore, Rashica i skuadrës së Beshiktashit mungoi në katër ndeshjet e fundit kampionale.
Trajneri i Beshiktashit, Giovanni van Bronckhorst, të martën në konferencë për shtyp deklaroi se Rashica do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Malmos.
Beshiktashi dhe Malmo takohen të mërkurën nga ora 16:30 në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Evropës.
“Paulista dhe Rashica u stërvitën me ekipin. Të dy do të jenë në skuadër nesër, por ne nuk do ta bëjmë të ditur formacionin startues deri nesër. Ne do të luajmë ndeshjen tonë të katërt. Ishte shumë e rëndësishme që fituam kundër Lyonit jashtë shtëpisë. Ne luajmë në shtëpi, duam të fitojmë sërish”, ka thënë Van Bronckhorst.
Rashica në 12 ndeshje me fanellën e Beshiktashit këtë edicion ka shënuar një gol, ndërsa ka edhe pesë asistime.