Një tjetër talent kosovar që jeton e vepron në Gjermani i thotë ‘Po” Kombëtares së Kosovës. Është ky 17-vjeçari Nuredin Rexhepi, qendërmbrojtës i skuadrës VfB Stuttgart. Ai deri më tash ka qenë pjesë e Kombëtares së Gjermanisë U17. Prezantimin e tij e ka bërë presidenti Agim Ademi, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Gjermani.
“Sot dua të ndaj me të gjithë ju një tjetër lajm të mrekullueshëm pasi talenti i ri, Nuredin Rexhepi, tashmë do të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës. Nuredini është një 17-vjeçar shumë premtues, qendërmbrojtës i ekipit të VfB Stuttgart. Nuredini, i cili deri tash ka qenë pjesë e Kombëtares U17 të Gjermanisë, ka vendosur të luajë me gjithë zemër për Kombëtaren e Kosovës. Ky vendim i vlefshëm është marrë nga Nuredini dhe familja e tij, duke shprehur dëshirën e tyre të flaktë për ta përfaqësuar vendin e tyre”, ka shkruar presidenti i FFK-së Agim Ademi duke prezantuar prurjen më të re në radhët e Dardanëve.
Nuredin Rexhepi ka statistika të shkëlqyeshme në Bundesliga U17, ku ka realizuar 16 paraqitje me skuadrën e VfB Stuttgart dhe në 92 përqind të ndeshjeve ka luajtur si titullar, teksa është treguar mjaft efikas edhe para portave kundërshtare, duke shënuar katër gola.
Presidenti Ademi i ka shprehur mirënjohje bashkëatdhetarëve tanë në Diasporë, të cilët vazhdojnë t’i rrisin fëmijët e tyre në frymën e atdhedashurisë.
Tani mbetet që Nuredin Rexhepi t’i nënshtrohet procedurave të zakonshme dhe të pajiset me shtetësinë e Kosovës, në mënyrë që të ketë të drejtë për t’u paraqitur në fanellën e Kombëtares dardane.