Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është pritur sot nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në zyrën e këtij të fundit.
Sipas njoftimit të lëshuar nga FFK, në këtë takim krerët e të dy institucioneve diskutuan për gjendjen e infrastrukturës sportive në Prishtinë, si dhe për ndeshjet e ekipeve tona në garat ndërkombëtare dhe për eventet të cilat janë paraparë nga komuna që të organizohen në stadiumin “Fadil Vokrri”, si dhe nevojën e ndërtimit të stadiumit të ri në kryeqytet.
Ademi e njoftojë të parin e Prishtinës me të gjithë orarin dhe vështirësitë që po i has federata me fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, duke pas parasysh aktivitetet e ngjeshura të ekipeve Kombëtare dhe katër klubeve tona, të cilat janë duke marrë pjesë në garat evropiane, e po ashtu edhe eventet e planifikuara në stadium.
Tutje, FFK bëri të ditur se “Ademi vuri në pah se është shumë e vështirë të ruhet fusha dhe nuk ka as hapësirë kohore për ta ndërruar barin. Prandaj, theksoi presidenti Ademi, jemi në situatë të vështirë, pasi që Kosovës i ka mbetur vetëm ky stadium i kategorisë së IV të UEFA-s. Me këtë rast, ai edhe një herë bëri thirrje që sa më parë të vazhdohet puna në stadiumet në të cilat janë ndërprerë punimet”.
Nga ana e tij Rama premtoi se do të angazhohet për të rregulluar dhe përmirësuar gjendjen e stadiumit “Fadil Vokrri”. Ai gjithashtu njoftoi se ditëve në vazhdim do të shpallet konkursi i kompanive projektuese për ta përzgjedhur projektin më të mirë për stadiumin e ri i cili do të ndërtohet në Prishtinë dhe do të jetë në shfrytëzim të plotë nga FFK-ja me ekipet Kombëtare si dhe për ngjarje tjera të kryeqytetit. Ky stadium do të përmbushë standartet e UEFA-s dhe FIFA-s dhe do të shërbejë për ndeshjet zyrtare të garave kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare.
Projekti do të mbështetet në bashkëpunimin midis Komunës së Prishtinës dhe FFK-së. Stadiumi i ri pritet të ketë një kapacitet prej rreth 25.000 ulësesh dhe do të plotësojë kërkesat e publikut të kryeqytetit dhe të gjithë Kosovës.
Në fund, u bë e ditur se “Presidenti Ademi dhe ekipi i tij u shprehën të kënaqur me takimin dhe diskutimet e zhvilluara me kryetarin Rama dhe uruan që ky projekt të realizohet sa më shpejtë”.