Takimi për të ardhmen e Koemanit zgjati deri në orën 4 të mëngjesit, pas humbjes ndaj Benficas

Drejtuesit e Barcelonës e mbajtën një takim urgjent, që përfundoi në orën 4 të mëngjesit të enjten, për të ardhmen e trajnerit Ronald Koeman.

Trajneri Koeman është nën presion të madh si pasojë e rezultateve shumë të dobëta të Barcelonës në këtë fillimsezon dhe mund të shkarkohet së shpejti, raporton GE.

Benfica e mposhti 3:0 Barçën të mërkurën, duke ia shkaktuar disfatën e dytë radhazi me të njëjtin rezultat, pasi Bayern Munich e kishte mundur në ndeshjen hapëse të grupit javë më parë, raporton Gazeta Express.

Kjo është hera e parë që katalonasit i humbin dy ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve.

Presioni ndaj trajneri holandez është duke u shtuar tej mase, pasi Barça e ka fituar vetëm njërën prej pesë ndeshjeve të fundit.

Sipas Mundo Deportivos, gazetës së afërt me klubin, presidenti i Barçës Joan Laporta e mbajti një takim me drejtorët e klubit të mërkurën pas mesnatës, menjëherë pasi u kthye në Katalonjë nga Lisbona.

Takimi thuhet të ketë përfunduar në orën 4 të mëngjesit, pas të cilit me shumë mundësi e ardhmja e Koemanit është vendosur përfundimisht.

Koeman nuk dëshiron të largohet dhe beson se e ka mbështetjen e klubit dhe të lojtarëve.

Ai kishte thënë të mërkurën pas ndeshjes se “Ndihem i përkrahur nga lojtarët dhe qëndrimi i tyre”.

“Mund të flas vetëm për punën që e bëj me ekipin. Nuk e di për të tjerët por e di për klubin”, kishte shtuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *