Përzgjedhësi Sylvinho thotë se po ëndërrojnë kualifikimin në fazën e eliminimit direkt në “Euro 2024”, ndërsa të hënën mbrëma zhvillojnë përballjen ndaj Spanjës.
Shqipëria ka nevojë për tre pikë që të kualifikohet në fazën tjetër, megjithëse edhe një barazim mund t’i vendos në lojë për avancimin tutje.
Sylvinho para ndeshjes ka deklaruar se është i lumtur me paraqitjet e bëra në “grupin e vdekjes”, por që tani po ëndërrojnë kualifikimin.
“Shumë menduan se para pesë muajve, Shqipëria do të pranonte tre apo katër gola dhe pesë ose gjashtë në lojën tjetër”.
“Jemi të lumtur që jemi në grupin e vdekjes me diçka për të luajtur. Kemi bërë gjithçka për të qenë këtu, po provojmë diçka tjetër”.
“Besojmë sepse e dimë se është e mundur. Në 90 minuta gjithçka mund të ndodhë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, sa i përket përballjes – ai e pranoi se nuk do të jetë aspak e lehtë.
“Kur luan një ndeshje provon ta fitosh. Edhe kur s’je favorit dhe luan ndaj një skuadre të mrekullueshme, nuk ka rëndësi”.
“Nëse duam të avancojmë, duhet ta mposhtim Spanjën. Nuk do të jetë e lehtë. Kemi lojtarë të guximshëm që kanë ambicie dhe janë vërtetë të emocionuar”.