Xhiro-ja e gjashtë e Superligës së Kosovës në Futboll do të mbyllet sot me tri super ndeshje në program.
Sfida më interesante pritet të jetë padyshim derbi i anamoravës mes Dritës dhe Gjilanit që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Drita e cila kryeson me 11 pikë së bashku me Ballkanin, do të kërkojë fitoren për të vazhduar lidershipin, gjersa Gjilani e cila ka qenë në krizë të rezultateve në këtë start të kampionatit, do të kërkojnë gjithashtu fitoren për këndelljen e tyre në kampionat.
Një tjetër sfidë interesante është edhe ajo mes Malishevës dhe Ballkanit.
Skuadra e Malishevës si e promovuar në këtë edicion në Superligë, ka mahnitur të gjithë me lojën e tyre të mirë në këtë start të kampionatit e cila ka mbledhur 10 pikë pas pesë xhirove të para, me tre fitore, një barazim e një humbje, gjersa Ballkani si lider së bashku me Dritën do të kërkojë fitoren për të mbajtur hapin me kreun e tabelës.
Feronikeli dhe Prishtina gjithashtu është një sfidë tejet interesante e cila zhvillohet në Drenas.
Kampioni Prishtina ka zhgënjyer me formën e dobët në këtë start të kampionatit, duke mbledhur vetëm pesë pikë pas pesë xhirove të para, me një fitore, dy barazime e dy humbje, duke u gjendur në pozitën e shtatë tabelare, gjersa Feronikeli gjendet në pozitën e gjashtë, me gjashtë pikë, duke regjistruar dy fitore e tre humbje.
Të tri sfidat fillojnë nga ora 15:00 dhe padyshim se do të jenë interesante për ti shikuar.