Ish-kreu i televizionit gjerman RTL, Bern Reichart, u zgjodh sot drejtor i ri ekzekutiv i kompanisë “A22 Sport Management”, e cila qëndron pas projektit të krijimit të Superligës së futbollit, raporton gazeta sportive spanjolle “Marca”.
Superliga evropiane u lançua nga 12 klube në prill të vitit të kaluar, por pas reagimit të UEFA-s dhe qeverive të vendeve të caktuara, nëntë klube u larguan nga gara.
Superliga mbështetet nga Reali, Barcelona dhe Juventusi, ndërsa kompanisë “A22” iu dha detyra për të gjetur sponsorë dhe për të përgatitur terrenin për ngritjen e ligës.
“Shoqëria “A22” duhet të hartojë strukturën e plotë të konkursit dhe të paraqesë të gjitha aspektet financiare. Fokusi i tij fillestar do të jetë fillimi i një dialogu aktiv dhe të zgjeruar me një grup aktorësh të futbollit, duke përfshirë klubet, lojtarët, trajnerët, tifozët, mediat dhe politikëbërësit. Qëllimi është të zhvillohet një model i qëndrueshëm sportiv për garat evropiane të klubeve, i cili do të përfaqësonte interesat afatgjata të tifozëve dhe komunitetit më të gjerë të futbollit”, sipas një deklarate nga Reichart.
Mediat spanjolle kujtojnë se vendimi për emërimin e drejtorit të ri vjen në një kohë kur Superliga është në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg.
Superliga paditi Bashkimin Evropian të Futbollit (UEFA) për një monopol mbi garat ndërkombëtare, siç është Liga e Kampionëve. Gjykata do të japë një opinion jo detyrues më 15 dhjetor, ndërsa vendimi përfundimtar pritet vitin e ardhshëm.