Ndeshja e Superkupës së Evropës mes Bayern Munchen dhe Sevillas është planifikuar të zhvillohet në praninë e 20 mijë tifozëve në Budapest këtë të enjte.
Por një deputet hungarez akuzoi UEFA-n se po kryen një eksperiment për të parë se si shpërndahet koronavirusi nëpër stadiume.
UEFA ka vendosur që në ndeshje të jenë të pranishëm 14 mijë tifozë hungarezë dhe nga 3 mijë tifozë për secilën skuadër.
Por deputeti i Partisë Socialiste të Hungarisë, Ildiko Borbley tha se organizata që drejton futbollin europian po e përdor për kërkime mjekësore këtë rast dhe i ka bërë thirrje qeverisë të mos e lejojë që ndeshja të luhet me tifozë.
Nga ana e saj, UEFA ka bërë të ditur se tifozët që do të lejohen të futen në stadium do të kryejnë më parë testin për COVID-19.
“Puskas Arena” do të jetë kështu i mbushur me vetëm 20% të kapacitetit, edhe pse rastet e konfirmuara kanë rifilluar të rriten që prej tri javësh tashmë, me 100,7 të infektuar për 1000 banorë në kryeqytet.
Për më tepër, që prej 1 shtatorit, Hungaria nuk lejon gjermanët të futen brenda territorit të saj, por ata që do të kenë një biletë do të marrin leje të veçantë për të hyrë në vend.