Gola, emocione dhe spektakël në javën e 28-të të Kategorisë Superiore.
Tirana e mrekullive nuk di më të ndalet. “Manita” e bardhebluve në sfidën e Gjirokastrës ndaj Luftëtarit me Tiranën që triumfoi 0-5 dhe hodhi një tjetër hap të sigurt në garën për titullin kampion.
Shënuan të gjithë në suksesin e bardhebluve me përjashtim të sulmuesit anglez Ngoo i cili humbi edhe një 11-metërsh.
Hapi serinë e golave Kristi Vangjeli pas vetëm 3 minutash lojë, ndërsa në pjesën e parë e gjetën rrugën e rrjetës edhe Cobbinah dhe Hasani.
Në fraksionin e dytë shënuan edhe Idriz Batha me 11-metërsh dhe ishi i madh i sfidës Dunga.
Kjo ishte fitorja e 13-të në 14 takime për Emanuel Egbo në stolin e Tiranës me bardheblutë që u ngjitën në kuotën e 59 pikëve duke ruajtur avantazhin prej 9 pikësh ndaj Kukësit ndjekës në renditje.
Verilindorët e Orges Shehit, fituan lehtësisht 1-3 ndaj Partizanit në Selman Stërmasi, duke zhytur në krizë të kuqtë e Adolfo Sormanit të cilët pësuan humbjen e 8-të radhazi dhe tashmë e shikojnë veten në vendin e 8-të në zonën play out.
Abazaj në pjesën e parë, autogoli i Boldor dhe Valon Ethemi i dhanë fitoren Kukësit ndërsa për Partizanin golin e nderit e realizoi Solomon.
Një prej skuadrave më në formë të kampionatit është edhe Skënderbeu që regjistroi suksesin e 6-të rresht në kampionat duke dënuar edhe matematikisht Flamurtarin që u rrëzua në Kategorinë e Parë.
Një gol i Nazmi Gripshit në pjesën e dytë mbajti korçarët e Dajës në vendin e 3-të të Superiores. Largimi i trajnerit Mirsad Jonuz la shenjë te Vllaznia që u mposht me goleadë nga Laçi. Në Kurbin, skuadra e Cungut triumfoi me rezultatin 5-2 duke blinduar vendin e 4-t. Një gol në fund i Jurgen Goxhajt i dha tre pikë me shumë vlera Bylisit dhe riktheu te suksesi pas një kohe shumë të gjatë skuadrën e Dovedan, që ngjiti dy shkallë në tabelën e klasifikimit.