Sot ka qenë dita kur dy kandidatët për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Gramoz Vokrri, kanë deponuar nënshkrimet për ta fituar kandidaturën për numrin një të FFK-së në zgjedhjet që mbahen më 6 prill 2022.
Gjatë ditës, Demokracia.com ka raportuar se Ademi tashmë i ka siguruar nënshkrimet e mjaftueshme dhe në zgjedhjet për kryetar të FFK-së do të jetë pa kundërkandidat, por gjithsesi gara duket e nxehtë dhe gjithçka do të tentohet për t’i bindur delegatët se cili kandidat është më i mirë.
Në media gjatë ditës është raportuar se numri një i FFK-së, Agim Ademi, sot e ka sulmuar fizikisht punëtorin e FFK-së, Artan Govorin, i cili rastin e ka paraqitur edhe në polici.
Këtë ngjarje tashmë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, që rasti duke u hetuar.
Demokracia.com nga burime brenda Federatës së Futbollit të Kosovës ka mësuar ngjarja nuk kishte ndodhur ashtu siç është raportuar rasti.
“Asnjë kontakt fizik nuk ka pasur. Ka ndodhur një debat, por assesi sulm fizik. Ka shumë njerëz, shumë dëshmitarë, që e kanë parë që nuk ka ndodhur ai sulm i pretenduar. Brenda objektit të FFK-së ka kamera dhe ka shumë punëtorë aty”, i ka thënë Demokracia.com një burim brenda FFK-së.
Gjithsesi kjo situatë pritet të zbardhet shumë shpejt, pasi që tashmë policia është duke e hetuar rastin.