Suarezi e pranon se kishte parakontratë me Juventusin para provimit mashtrues

Luis Suarez u ka thënë autoriteteve italiane se kishte pasur marrëveshje paraprake me Juventusin, por gjiganti i Serie A ishte tërhequr nga ujdia për ta blerë uruguaianin kah mesi i shtatorit.

Sulmuesi i Atletico Madridi është marrë në pyetje nga autoritetet italiane, si pjesë e hetimit që po bëhet ndaj mashtrimeve në provimet për nënshtetësinë italiane, transmeton GE.

Ish-sulmuesi i Barcelonës mashtroi në provimin për ta marrë nënshtetësinë italiane, e cila i duhej për t’iu bashkuar Juventusit.

Sulmuesi 33-vjeçar, raportojnë mediat italiane, është rrëfyer para hetuesve në Perugia se ishte njoftuar me pyetjet që do t’i binin në provim, i cili i duhej për t’u transferuar në Juventus, duke shtuar se kishte marrëveshje paraprake me zonjën e vjetër nga fundi i gushtit.

Më 14 shtator, megjithatë, shefi ekzekutiv i Juventusit Fabio Paratici e njoftoi atë dhe përfaqësuesit e tij se bardhezinjtë nuk do ta afronin atë.

Si pasojë, Suarez iu bashkua Atletico Madridit.

Prokuroria në Perugia ka konfirmuar në fillim të muajit se rektorja e Universitetit të Perugias – aty ku është mbajtur provimi i kurdisur – Giuliana Grego është pezulluar nga detyra për tetë muaj, e bashkë me të edhe disa zyrtarë të tjerë të këtij institucioni.

Edhe Paratici është nën hetime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *