Milan dhe Real Madrid kanë zhvilluar një ndeshje miqësore në stadiumin Rose Bowl në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka qenë një ndeshje spektakolare para rreth 90 mijë tifozëve të pranishëm, ku në fund Real Madridi ka triumfuar me rezultat të ngushtë 3-2.
Në fakt Los Blancos kanë fituar këtë ndeshje me rikthim, pasi në pjesën e parë ishte gjiganti italian Milan që kishte krijuar epërsi të dy golave 2-0.
Christian Pulisic harkoi bukur nga këndi derisa Fikayo Tomori realizoi për 1-0 në minutën e 25-të.
Transferimi i ri i Milanit, Luka Romero e dyfishoi epërsinë në minutën e 42-të duke realizuar një gol të bukur nga distanca për 2-0.
Rikthimi i Real Madridit ndodhi në pjesën e dytë me uruguaianin Federico Valverde që realizoi dy gola të shpejtë brenda dy minutave, në 57 dhe 59-të.
E për golin e fitores u përkujdes ylli brazilian Vinicius Junior në minutën e 84-të, ku pas një asistimi nga Luka Modric doli përballë portierit Mike Maignan dhe me lehtësi shënoi për 3-2.