Spanja merr këtë vendim për tifozët

Sekretarja për sport e Spanjës, Irene Lozano dhe presidenti i La Ligas, Javier Tebas, kanë përjashtuar në mënyrë kategorike mundësinë e kthimit të tifozëve në stadiume para përfundimit të edicionit aktual, për të minimizuar rrezikun për përhapjen e koronavirusit.

Tebas kishte thënë muajin e kaluar se tifozët do të kthehen kur të jetë e sigurt për të bërë këtë, ndërkohë që liga kishte prezantuar protokollin përmes të cilit qeveria lejoi kthimin e ndeshjeve.

“Gjëja më e sigurt për të bërë është që të kompletojmë edicionin pa tifozë”, ka thënë sekretarja për sport, Lozano.

“Në futboll ka numër të madh njerëzish, nuk është si në teatër. Një ndeshje pa shikues përcillet nga 250 njerëz, por lejimi i tifozëve në një të tretën e stadiumit, nënkupton grumbullimin e 30 mijë njerëzve. Për këtë dallon nga aktivitetet tjera”.

Asnjë nga pesë ligat e mëdha nuk ka lejuar shikuesit që kur futbolli është rikthyer. Por kampionatet në vende si Danimarka, Bullgaria e Serbia kanë lejuar tifozët.

Tebas ka thënë se liga më nuk planifikon kthimin e shikuesve.

“Aktualisht La Liga nuk e ka prioritet kthimin e tifozëve në stadiume. Problem paraqet numri i madh i njerëzve brenda dhe jashtë stadiumit. Ne kemi pasur telashe me derbin në mes të Gijonit dhe Oviedos, pasi ishin më shumë se 200 shikues jashtë stadiumit. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi mund të shfaqet vala e dytë”, ka theksuar i pari i La Ligas spanjolle.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *