Spanja – Kosova, “Marca” sërish merret me ndeshjen për kualifikim në Botëror

Gazeta e njohur spanjolle, Marca, ka shkruar sërish për ndeshjen e futbollit në mes të Spanjës dhe Kosovës. Ndeshja do të luhet më 31 mars, ndërsa Federata spanjolle nuk ka zyrtarizuar ende vendin se ku do të luhet takimi eliminator për Botërorin 2022.

Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe ka pasur raportime për mundësinë që ndeshja të luhet në terren neutral. Por autoritetet spanjolle po punojnë që ndeshja të luhet në territorin e Spanjës. Këtë e ka bërë të ditur Marca të dielën.

Menjëherë pas shortit, nga Qeveria e Spanjës kanë thënë se sportin duhet ndarë me politikën.

Por Federata e Futbollit të Spanjës ka shprehur brenga për atë se a mund të luhet ndeshja në Spanjë.

Këshilli i Lartë i Sportit ka shprehur vullnetin që ndeshja të luhet në Spanjë, pasi të tri palët e përfshira të përcaktojnë të gjitha detajet në një takim të fundit. Pos Federatës dhe Këshillit të Lartë të Sportit, palë është edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Nga Këshilli i Lartë i Sportit kanë thënë për Marca se qeveria kërkon një letër të kushteve që Federata duhet ta nënshkruajë, ashtu si kishte bërë Federata e Hendbollit e Spanjës lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës U-21 në Botërorin e mbajtur në vitin 2019 në Spanjë.

“Federata e Futbollit po ashtu i është referuar federatës së hendbollit, duke e përdorur atë si shembull pasi e ka organizuar Botërorin e juniorëve, ku mori pjesë edhe Kosova. Nga Këshilli i lartë i sportit kanë shpjeguar se federata e hendbollit e ka nënshkruar këtë listë të ‘detajeve teknike’, që është dërguar në federatën ndërkombëtare, dhe që kontribuon në ruajtjen e frymës sportive dhe pozicionit politik të vendit tonë”, ka shkruar Marca.

Në Federatën e Futbollit të Spanjës kanë thënë se konsiderojnë që pozicionimi i Këshillit të Lartë Sportiv, që është organ qeveritar për sportin, është në kundërshtim me zhvillimin e ndeshjes në Spanjë. Në federatë kanë thënë se po bëjnë marrëveshje me Francën dhe Portugalinë për të organizuar në njërin nga këto dy vende ndeshjen. Por në Këshill e kanë mohuar këtë, duke thënë se po punojnë që ndeshja të luhet në Spanjë.

Sipas gazetës Marca, të gjitha palët kanë gatishmëri që ndeshja të luhet në territorin e Spanjës dhe për këtë nuk pritet të ketë probleme. Por çdo gjë do të vendoset në një takim të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *