Sot do të nisë java e 11-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Kjo javë hapet me ndeshjen mes Fushë Kosovës dhe Malishevës, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” të Lipjanit, nga ora 13:00.
Malisheva hyn në këtë ndeshje pas dy humbjeve radhazi, kurse Fushë Kosova pas një humbjeje.
Malishevasit janë të pestit në tabelë me 12 pikë, kurse skuadra nga Fusha Kosova vazhdon të jetë e fundit me 5 pikë të grumbulluara.
Vlen të theksohet se për Malishevën do të jetë kjo ndeshja e parë me trajnerin e ri, Qëndrim Kida.
Këtë të shtunë do të debutojë edhe trajneri i ri i Prishtinës, Emmanuel Egbo, me ndeshjen ndaj Gjilanit. Kjo ndeshje do të zhvillohet nga ora 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Prishtinasit nuk dinë për fitore në shtatë ndeshjet e fundit, ku kanë regjistruar gjashtë barazime e një humbje.
Prishtina është e katërta në tabelë me 13 pikë.
Në anën tjetër, gjilanasit udhëtojnë drejt kryeqytetit pas fitores ndaj Fushë Kosovës xhiron e kaluar.
Gjilani është i shtati në tabelë me 11 pikë.