Sot luhen ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës në futboll

Sot (e mërkurë) do të zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, ku do të mësohen dy ekipet finaliste.

Para dy javësh u zhvilluan ndeshjet e para të Kupës së Kosovës dhe tani janë në program për t’u luajtur ndeshjet e dyta pasi gara po shkon drejt fundit.

Ndeshje më interesante pritet të jetë ajo në mes të dy rivalëve të mëdhenj, Prishtinës dhe Dritës, e cila do të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:00.

Vendasit nga kryeqyteti kanë epërsi 1-0 nga ndeshja e parë dhe do të synojnë ta ruajnë këtë epërsi dhe të konfirmojnë një vend në finalen e Kupës së Kosovës, pasi fitimi i këtij trofeu është shpresa e vetme për të luajtur në Evropë.

Përballje interesante pritet të zhvillohet edhe në Skenderaj, ku Drenica e pret Llapin në stadiumin Bajram Aliu, me fillim nga ora 15:00.

Ndeshja e parë ka përfunduar me fitoren e llapjanëve me rezultat 2-0, por drenicasit do të tentojnë deri në fund për të bërë befasinë dhe për t’u bërë ekipi nga Liga e Parë që synon trofeun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *