Kombëtarja e Kosovës në basketboll sonte në ‘Minatori’ do të përballet me Norvegjinë.
‘Dardanët’ dhe norvegjezët ballafaqohen në kuadër të rrethit të parë parakualifikues, ku gjendet në Grupin C së bashku me Danimarkën.
Dueli i sontëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kombëtaren në rrugën për kualifikim, madje, vlerësohet takim vendimtar.
Kosova nën drejtimin e Christos Marmarinos, ka disa ditë që është duke u përgatitur për sfidën me Norvegjinë.
Kombëtares sonë i është bashkuar edhe amerikani i natyralizuar Scott Bamforth, i cili pas një periudhë, sërish vesh fanellën e ‘Dardanëve’.
Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, ka thënë se kjo ndeshje është e rëndësishme për skuadrën tonë, madje, sipas tij, është sfidë vendimtare.
“Për në është shumë i rëndësishëm ky takim. Është vendimtar. Jemi munduar të përgatitemi siç duhet për këtë sfidë dhe shpresoj të fitojmë. Ajo që mund të them është se do të japim më të mirë tonë, duke shpresuar në rezultat pozitiv”, theksoi strategu Marmarinos.
Të tri kombëtaret e këtij grupi, kanë nga një fitore e një humbje, ndërkaq vendi i parë kualifikohet tutje, si dhe vendi i dytë më i mirë nga tri grupet parakualifikuese.
Ndeshja Kosova-Norvegjia nis në orën 19:00.