Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka lënë të kuptohet se përsëri nuk do t’ia zgjasë dorën trajnerit të Liverpoolit, Jurgen Klopp, kur dy skuadrat e tyre të takohen sonte në Ligën e Kampionëve në Anfield.
Simeone nuk kishte pranuar t’ia zgjaste dorën Kloppit, pas humbjes së Atletico Madridit 3:2 kundër Liverpoolit në një ndeshej dramatike në Ligën e Kampionëve muajin e kaluar, raporton Gazeta Express.
Kampioni i La Ligës pati një natë zhgënjyese në tokën e vet Wanda Metropolitano, pasi Antoine Griezmann u përjashtua me karton të kuq, një penallti u dha kundër tij dhe një tjetër në favor të tij u shfuqizua.
Pas ndeshjes, trajneri argjentinas i Atleticos ia futi vrap drejt zhveshtores, duke mos u bezdisur fare t’ia zgjatë dorën homologut të vet siç është zakon pas ndeshjes.
Më vonë, Simeone shpjegoi se është zakon i tij të mos përshëndetet me homologët e tij pas përfundimit të ndeshjeve, por u zotua se do t’ia zgjasë dorën Kloppit në takimin e ardhshëm.
Megjithatë, duke folur të martën mbrëma në konferencë para ndeshjes, Simeone e përsëriti se nuk i pëlqen t’i shtrëngojë duart me trajnerët e tjerë.
“Nuk më pëlqen përshëndetja pas ndeshjes, sepse aty ka emocione të dy palëve dhe dy mendje të ndryshme emocionale”, tha Simeone.
“E di që në Britani të Madhe është zakon, por unë nuk e praktikoj dhe nuk më pëlqen shtirja. Unë nuk e njoh shumë mirë Kloppin si person. Por e di se ai është trajner i madh, i cili e ka bërë punë të madhe në çdo klub që ka qenë”, shtoi ai.