Sulmues i Francës dhe i Real Madridit Karim Benzema ishte në garë të ngushtë për ta fituar çmimin më prestigjioz evropian në nivel individual, Topin e Artë që dhurohet nga gazeta e madhe franceze France Football.
Megjithatë, Benzema u rendit si i katërti në këtë garë derisa çmimi i madh shkoi në duart e yllit argjentinas të PSG-së Lionel Messi.
Por, se cili ishte disponimi i Benzemas përkitazi me këtë fakt, e ka zbuluar trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti në një konferencë për media para ndeshjes të së mërkurës me Athletic Bilbaon.
“Është një çmim i rëndësishëm, por është individual”, tha Ancelotti. “Karim Benzema nuk po qan që nuk e fitoi atë. Ne duhet të respektojmë vendimin. Messi fitoi dhe ai është një lojtar i madh”, tha fillimisht Ancelotti.
“Për lojtarët, çmimet individuale janë të rëndësishme dhe ato japin motivim, por nëse nuk i fitojnë, nuk ka rëndësi. Benzema ka pasur një sezon të mrekullueshëm dhe përfundoi i katërti dhe tani ai do të ketë motivim shtesë për të përfunduar i pari vitin e ardhshëm”, tha në fund Ancelotti.