Barcelona është duke përgatitur një plan për të siguruar 100 milionë euro që të financojë transferimin e yllit të Borussia Dortmund, Erling Haaland, gjatë afatit kalimtar veror.
BVB dëshiron të përfitojë sa më shumë para nga shitja e norvegjezi, pasi e ka të qartë se nuk do të mund ta mbajë pas këtij sezoni.
Paraqitjet e sulmuesit kanë tërhequr interesimin e klubeve kryesore evropiane, kurse në mesin e tyre janë edhe Blaugranët, të cilët janë duke punuar në prapaskenë për nënshkrimin e tij.
Katalunasit janë në borxhe rekorde dhe në procesit të uljes së pagave të larta. Ndërsa për të siguruar një shumë të dukshme parash për transferime – sipas Goal – klubi planifikon të shesë 49 për qind të aksioneve në kompaninë e tyre të produksionit mediatik, Barca Studios.
Kjo shitje do t’ia siguronte klubit 100 milionë eurot e nevojshme për nënshkrimin e Haaland, megjithëse ekziston një komplikim në të drejtat e imazhit të lojtarëve, të cilat i posedojnë vetë ata.
Barca vazhdon të ketë një listë pagash prej 400 milionë eurosh, ashtu që pos uljes së rrogave, katalunasit pritet ta sakrifikojnë edhe Ousmane Dembele (pas Lionel Messi, Antoine Griezmann, Junior Firpo e Emerson Royal që nuk mundën t’i mbajnë për shkak të pagave të larta).
Kujtojmë që konkurrentë të Barcelonës për norvegjezin janë Paris Saint-Germaini, Manchester City dhe Manchester Unitedi.