Pavarësisht a merr humbje apo fitore të martën në orën 18:00, Drita do ta vazhdojë rrugëtimin në Evropë edhe më tutje. Se a do të tentojë në kualifikim për Ligën e Kampionëve apo për Ligën e Evropës varet nga rezultati sonte.
Drita e fitoi ndeshjen e parë në kualifikime për Ligën e Kampionëve dhe do të tentojë të vazhdojë me po këtë hap të martën në orën 18:00, kundër klubit irlandez Linfield, në finalen e rundit preliminar në kualifikimet për Champions, transmeton GE.
Kampionia e Kosovës, Drita, e nisi rrugëtimin në kualifikimet për Ligën e Kampionëve me fitore, pasi që arriti ta mposhtë me rezultat 2:1 klubin nga Andorra, Inter Club d’Escaldes, falë golave të shënuara nga Xhevdet Shabani dhe Hamdi Namani.
Nëse e fiton edhe ndeshjen kundër Linfield, atëherë Drita do të vazhdojë tutje me fillimisht rundin e parë kualifikues, pastaj rundin e dytë kualifikues e në fund i ka play-offs për kualifikim, të cilat ia sigurojnë vendin në grupet e Ligës së Kampionëve.
Në anën tjetër, nëse Drita pëson disfatë sonte, atëherë djemtë e Nuhiut do ta kenë edhe një mundësi tjetër në Evropë, duke zënë një vend në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës.
Rundi i dytë kualifikues për Ligën e Evropës i sjell në konkurrencë gjithsej 94 skuadra, tri prej të cilave janë humbësit e rundit preliminar për kualifikim në Ligën e Kampionëve, 17 humbësit e rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, 47 fituesit e rundit të parë kualifikues për Ligën e Evropës dhe 27 skuadra të tjera evropiane që hynë direkt në këtë fazë.
Në Ligën e Evropës, Drita mund të jetë në garë bashkë me dy klubet e tjera kosovare që po garojnë në Evropë, Prishtinën dhe Gjilanin.