Gazetari i njohur sportiv shqiptar, Dritan Shakohoxha ka folur mbrëmë në emisioni “Favorit” në T7 për eksperiencën që do ta ketë Kombëtarja shqiptare në Euro 2024.
“Shako” e përmendi faktin se lojtarët shqiptarë janë me fat pasi e kanë mundësinë të zgjedhin mes njërës prej Kombëtareve, atë të Kosovës ose të Shqipërisë, siç bëri së fundmi Mirlind Daku, apo edhe Arbnor Muja.
Po ashtu, i zuri në gojë edhe Amir Rrahmanin e Edon Zhegrovën, të cilin e konsideron si diamant të Kosovës, shkruan “Gazeta Express”.
Gjithashtu, Shakohoxha foli edhe për gjasat e Shqipërisë në Evropian, ku tha se e presin tri finale të mëdha në fazën e grupeve, njërën prej së cilave mund ta fitojë.
“Kur nuk i merr ato që duhet nga Rrahmani, nga Zhegrova, një lojtar që për një popull të vogël si në shqiptarët lind një në pak vite, duhet ta rrethojmë dhe të mos e lejojmë as t’i fryjë era, e lërë me ta…”, u shpreh fillimisht “Shako” në “Favorit”.
“Për fat, shqiptarët i kanë dy opsione, A dhe B, nuk e di se cili është A dhe B. Injorimi që iu bë Dakut, kishte një mundësi tjetër që të luante për shqiptarët, e zgjodhi menjëherë. Kishte mundësi të shënonte, shënoi ndaj Polonisë, është një super-lider, mendoj që do ta bëjë një super Evropian. Mendoj se të gjithë do të jemi të përfaqësuar dhe në fund fare është se e mira dhe i miri do të dalë mbi ujë, pavarësisht përpjekjeve për t’i çuar nën ujë”, vazhdoi ai.
“Jemi në Evropian, do të luajmë në Evropian, s’kemi arsye për t’u brengosur dhe për t’u mërzitur për shortin. Do të luajmë në Gjermani, ku jetojnë të paktën 2 milionë shqiptarë nga troje të ndryshme. Do të ketë të paktën nga 25 mijë shqiptarë në çdo ndeshje. Stadiumi që e kemi në Tiranë i kemi 21 mijë dhe prej tyre një pjesë janë për udhëtuesit. Tani do t’i kemi 25 mijë, do t’i ‘pushtojmë’ qytetet e Gjermanisë, do t’i ndriçojmë me festën shqiptare. Shqiptarët do të sjellin festë, do t’i luajmë tri ndeshje të bukura, mos harroni, do t’i luajmë tre finale të mrekullueshme, ndaj tri Kombëtareve të mëdha. T’i shijojmë këto ndeshje o njerëz. A ishit bërë gati ta fitonim Evropianin?”, vazhdoi ai.
“Shqipërinë nuk e mund dot kush duke e dominuar. E treguam këtë edhe në Evropianin 2016, ku edhe pse u eliminuam, ditëm ta tregonim veten. Atëherë e kishim një ekip më me shpirt luftarak, ndërsa tash e kemi një ekip më me klas. Njërën nga tre kundërshtarët do ta mundim (Spanjën, Italinë ose Kroacinë), kjo nuk diskutohet, e se si do të shkojë më pas puna, të shohim”, nënvizoi Shakohoxha.
“Kjo kombëtare do ta ketë një super-futbollist si Broja në Evropian. Sa i përket pjesës së sulmit, Shqipëria e ka sulmin më të mirë që e ka pasur ndonjëherë. Edhe Rey Manaj, mos ta harrojmë. Uzuni po e bën një super-sezon në Spanjë. Kemi edhe futbollistë të tjerë, ia vlen të përmendet Daku. Broja do të bëjë mirë dhe do të na dhurojë spektakël në Evropian. Ne vetëm duhet të shqetësohemi për trajnerin Sylvinho, i cili ka kontratë vetëm deri në Evropian dhe sigurisht se do të ketë oferta. Shpresojmë që të vazhdojë me ne”, përfundoi gazetari dhe komentatori i njohur shqiptar.