Kombëtarja shqiptare i mësoi dje emrat e ekipeve kundërshtare në Ligën C të Ligës së Kombeve për Botërorin 2022. Kuqezinjtë e kanë radhitjen më të mirë në ranglistën e FIFA-s nga katër konkurrentet e Grupit 4 të Ligës C.
Kuqezinjtë përfunduan në Grupin 4 të Ligës C së bashku me Bjellorusinë, Lituaninë dhe Kazakistanin, në shortin e hedhur sonte në Amsterdam të Holandës, transmeton GE.
Ky mund të konsiderohet një short i favorshëm për Shqipërinë, e cila kishte paraqitje dëshpëruese në Ligën e Kombeve për Euro 2020, por me një fitore të këtij grupi do të ngrihej në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Shqipëria aktualisht radhitet e 66-ta në ranglistën e FIFA-s, me gjithsej 1356 pikë të grumbulluara. Edhe pse kuqezinjtë dështuan të kualifikohen në EURO 2020 shkaku i formës së dobët, ata do të tentojnë të kthehen fuqishëm në ndeshjet e Ligës së Kombeve, ku edhe janë favoritë sipas radhitjes në ranglistën e FIFA-s.
Jo shumë larg Shqipërinë në ranglistën e FIFA-s radhitet Kombëtarja e Bjellorusisë, që është e 87-ta në këtë listë dhe i ka grumbulluar 1280 pikë. Bjellorusia i zhvilloi dy ndeshjet në shkurt – kundër Uzbekistanit dhe Bullgarisë – dhe i fitoi të dyja, ndërsa ndeshjet kualifikuese për EURO 2020 i mbylli me disfatë 4:0 nga Gjermania.
Pas Shqipërisë e Bjellorusisë, në ranglistën e FIFA-s nga Grupi 4 i Ligës C të Ligës së Kombeve vjen Kazakistani, që radhitet tre pozita nën Kosovën, në vendin e 118-të, me 1155 pikë. Kazakistani ka arritur ta fitojë vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit të zhvilluara, ndërsa i ka humbur katër.
E fundit në ranglistën e FIFA-s nga grupi i Shqipërisë radhitet Lituania, e cila është e vendosur në pozitën e 131-të dhe i ka 1089 pikë të fituara. Gjatë gjithë vitit 2019, Lituania i zhvilloi dhjetë ndeshje, prej të cilave shtatë i humbi, tri i barazoi dhe një, të fundit, e fitoi.