“Tiranë-Prishtinë, ku gabuam?” është ndalur sot tek futbolli dhe pse Shqipëria e Kosova nuk luajnë me një kombëtare të vetme. I ftuari gazetarit Baton Haxhiu, mbrëmjen e sotme ka qenë komentatori i njohur, Dritan Shakohoxha.
‘Shako’ ka shprehur bindjen e tij se shumë shpejt Kosova do të bashkohet me Shqipërinë në një shtet të vetëm. Sapo të ndodhë kjo, sipas Shakohoxhës do të kemi edhe një Kombëtare të vetme. Duke folur rreth këtij bashkimi të mundshëm, Shakohoxha ka shtuar se kjo mund të ndodh brenda 10 viteve të ardhshëm.
“Besoj se do bëhemi një shtet. Verbërisht e besoj këtë gjë. E kam bindje absolute që do të ndodhë shumë shpejtë. Besoj në pak vite do bëhet. Një pjesë e këtyre studentëve që kanë filluar tani vitin e parë, kur ta mbarojnë shkollën, Masterin do jenë Masater në Shqipëri, pra do jetë një shtet Shqipëri Kosovë. Jo vetëm e besoj por do ndodhë. Shpejt. Atëherë do jemi edhe një skuadër.” tha Shakohoxha.
Pak kohë në një intervistë për emisionin “Soire”, Shkaohoxha tregoi çfarë nuk i pëlqen nga emisionet sportive në vendin tonë. “E vetmja gjë që nuk më pëlqen te të gjithë programet është që befas shikon edhe xhiron e politikanëve. Është e shëmtuar. Pasi ta kanë nxirë jetën gjithë vitin befas flasin edhe për futboll.
Nuk mendoj që është gjë e mirë për një program sportiv njerëzit, politikanët pasi japin mend për cdo gjë në këtë vend, nuk mendoj që është gjë e mirë që të jenë edhe në festë, kjo pjesa e sportit është e festës. Në programet që kam bërë nuk kam ftuar politikanë, tani jam në një program që nuk e bëj unë, ka edhe politikanë, por nuk mendoj se është gjë e mirë, pasi një përqindje e njerëzve janë të lodhur nga politika. I fusin edhe një fjali që “unë nuk shoh ndeshje, por….” tha ai.
Kujtojmë se Shakohoxha është një nga kandidatët për postin e FSHF-së për zgjedhjet që zhvillohet në vitin e ardhshëm, edhe pse ende nuk janë shpallur emrat zyrtarë, tashmë dihet që Armand Duka do të ketë përballë për mandatin 4-vjecar, ish-mikun e tij, Shakohoxhën.