Iljia Nestorovski nuk do të jetë pjesë e Maqedonisë së Veriut për ndeshjen kundër Gjermanisë. Sulmuesi i Udinese u përjashtua nga kombëtarja, pas asaj që ndodhi në ndeshjen e së dielës kundër Lihtenshtejnit. Pasi shënoi golin për 5-0, nga goditja e dënimit, 31-vjeçari iu afrua kamerës, bëri një gjest me njërën dorë dhe shpërtheu në fyerje, para se të vinte gishtin mbi buzë, si shenjë e heshtjes.
Trajneri Igor Angelovski vendosi ta përjashtojë atë nga udhëtimi në Duisburg për arsye disiplinore. Nestorovski në Instagram vendosi të sqarojë situatën me një postim, duke deklaruar se fyerjet kishin për target njerëz të veçantë: “Fyerja ishte menduar për tre persona, të cilët kërcënuan dhe fyen mua dhe familjen time për tri ditë. Ata e dinë saktësisht se kush jam. Unë i kërkoj falje kujtdo që mendoi se fjalët ishin të destinuara për publikun”.
Pavarësisht nga sqarimet, trajneri vendosi ta përjashtojë sulmuesin nga ndeshja kualifikuese jashtë fushe, kundër “Mannschaft”, siç shpjegoi në konferencën për shtyp: “Së pari, jam i lumtur që ai kërkoi falje dhe shpjegoi pse e bëri atë, por një sjellje e tillë nga një lojtar i ekipit kombëtar nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar”.