Juventusi nuk po kalon një sezon të mirë dhe pozicioni në renditjen e Serie A e konfirmon më së miri këtë gjë, gjithashtu edhe humbja në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Champions League ndaj Portos.
Problemi kryesor i këtij Juventusi duket se është varësia ndaj Cristiano Ronaldos, pasi në rast se nuk shënon portugezi, pjesa tjetër e ekipit duket se është në gjumë. Këtë gjë e thonë edhe shifrat, me bardhezinjtë që janë ekipi më i varur nga një lojtar në top 5 ligat e Europës.
Cristiano Ronaldo ka shënuar 42.2% të golave të Juventusit, thuajse gjysmën e golave të shënuar nga ekipi bardhezi. Në vend të dytë, si lojtar me peshë qëndron Lewandowski, që ka shënuar 41.7% të golave të realizuar te Bayern Munchen. Sidoqoftë, bavarezët ndryshe nga Juventusi shënojnë pak më shumë dhe sezoni i tyre po shkon shumë më mirë nga ai i italianëve.