Shënohet 30-vjetori i ndeshjes së parë të Kombëtares së Kosovës

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka organizuar sot një pritje për anëtarët e Reprezentacionit të Kosovës dhe anëtarët e kryesisë së parë të FFK-së, në kuadër të shënimit të 30-vjetorit të ndeshjes së parë të Kombëtares së Kosovës në krye me trajnerin Ajet Shosholli kundër Kombëtares së Shqipërisë, pas mëvetësimit të futbollit kosovar nga ai i ish-shtetit federativ.

Fillimisht Ademi përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i falënderoi për kontributin e veçantë që kanë dhënë ndër dekada për futbollin e Kosovës.

“Është kënaqësi të shënohet kjo ditë, ngase Kombëtarja e atëhershme përbëhej nga ju si futbollistë të sakrificës nga kampionati i rezistencës, i cili përgjatë 10 viteve zhvilloi aktivitetin duke e bërë më të lehtë edhe rrugëtimin tonë drejt objektivit për anëtarësim në UEFA e FIFA, pasi qysh në vitet e para dëshmuam para botës se në Kosovë përkundër represionit futbolli po mbijeton dhe po zhvillohet, ndonëse në kushte të vështira”, ka theksuar Ademi.

Ai ka thënë se futbolli ka qenë një segment i rëndësishëm shtetëror dhe si një mjet rezistence ndaj okupatorit serb. Tutje Ademi ka thënë se në vazhdimësi ka pasur respekt për këtë gjeneratë dhe do të vazhdojë ta ketë derisa të jetë në krye të federatës.

Ai ka kërkuar nga të gjithë që t’i japin përkrahje djemve të Kombëtares së Kosovës në ciklin e ardhshëm kualifikues, me shpresën se së bashku do të arrihet të realizohet ëndrra e kahmotshme për kualifikim në Euro 2024.

Ademi theksoi se gjasat janë të mira që Kosova sivjet të arrijë suksesin historik, pasi grupi kualifikues është korrekt, derisa lojtarët janë në formë shumë të mirë. Për këtë arsye, tha ai, edhe moto e këtij viti është “Me Kosovën në Evropian”.

I pari i FFK-së u premtoi të gjithë atyre që ishin pjesë e ndeshjes së parë të Kombëtares pas mëvetësimit se në rast kualikimi do të jenë pjesë e ekspeditës së Dardanëve në Kampionatin Evropian në Gjermani.

Ndërkaq, Ademi e falënderuan për pritjen trajneri Ajet Shosholli dhe sekretari i atëhershëm i FFK-së, Sejdi Mërkoja. Ata e vlerësuan faktin që kreu i FFK-së po e respekton punën dhe sakrificën e asaj gjenerate, me shënimin e 30-vjetorit të asaj ndeshje, të cilën e cilësuan si më të rëndësishmen e asaj periudhe për futbollin e Kosovës.

Po ashtu, Sejdi Mërkoja me këtë rast ia dorëzoi presidentin Ademi edhe dokumentet zyrtare të zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Kosovë, si dhe dokumente tjera të rëndësishme nga periudha e mëvetësimit të futbollit të Kosovës.

Në shenjë nderimi për ish-anëtarët e kryesisë së parë të FFK-së që nuk jetojnë më u mbajt 1 minutë heshtje, derisa një minutë duartrokitje u vlerësua kontributi i trajnerit të famshëm kroat për futbollin e Kosovës, Qiro Bllazheviq, i cili nesër do të varroset në Kroaci.

Në fund, Ademi ka nderuar me mirënjohje të veçanta të gjithë ata që ishin pjesë e ekspeditës së Kombëtares së Kosovës në ndeshjen e parë kundër Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *