Ish-lojtari gjerman, Andre Schurrle, e ka etiketuar trajnerin aktual të Tottenham-it, Jose Mourinho, si “një njeri brutal”. Ai kujton se menaxheri portugez e shkatërroi besimin e tij, ndërsa ishte te Chelsea. “Ai është një njeri brutal, – tha Schurrle në një intervistë në YouTube me prezantuesen gjermane, Joko Winterscheidt. – Gjithmonë kam menduar me vete: Çfarë bën ai, gjithsesi? Pse më trajton kështu? Pse ua bën këtë njerëzve? Në retrospektivë, unë e kuptoj se çfarë donte dhe me çfarë burimesh punonte.
Në atë kohë, nuk mund të merresha vërtet me gjërat që ai dëshironte nga unë për shkak të gjithë ashpërsisë dhe presionit psikologjik. Në atë kohë ishte jashtëzakonisht e vështirë. Unë shpesh shkoja në shtëpi pas bisedave me të dhe thjesht mendoja se nuk mund të vazhdoja më. Çfarë mund të bëja? Ai po ndërtonte mbi mua një presion kaq të jashtëzakonshëm”.
Megjithëse Schurrle kishte ndjenjën se Mourinho e “pëlqente” dhe donte “ta “shtynte” karrierën e tij përpara, ish-sulmuesi shtoi: “Ai futi disa gjëra në kokën time, që ishin të vështira për t’u përpunuar”. Schurrle kishte qenë në të vërtetë në kontakt me Mourinho edhe para transferimit të tij në “Stamford Bridge”, me gjermanin që kishte marrë pjesë në ndeshjen e lamtumirës së Michael Ballack në Leipzig, një lojë në të cilën portugezi ishte trajneri i tij: “Në atë moment (qershor 2013), unë isha tashmë në negociata me Chelsea. Mourinho ishte trajneri im për ndeshjen e lamtumirës së Ballack. Ai më tha: Nëse nuk shënon dy gola sot, unë do të të huazoj te Southampton. Nuk e dija nëse po bënte shaka apo jo”.
Sulmuesi luajti në sezonin e parë, nën drejtimin e Mourinho, por me kalimin e kohës pa besimin e tij të shkatërruar si rezultat i trajtimit të trajnerit portugez: “Shpesh ndodhte që të luaja nga fillimi dhe më pas ai do të më zëvendësonte në gjysmë kohe. Pastaj, në ndeshjen tjetër, nuk isha në skuadër fare, përfundoja në tribunë. Nuk mund ta kuptoja atë në atë kohë dhe humba vetëvlerësimin. Egoja ime ishte lënduar. Pastaj fillova të mendoj se çfarë kalonte nëpër mendjen e tij. Ndonjëherë, gjatë stërvitjes, kisha ndjesinë se ai vetëm po më shikonte, edhe nëse ndoshta nuk ishte kështu”.